Në momentin kur mbeti i plagosur me dy plumba, biznesmeni Tofik Hyka ka qenë në shoqërinë e shoferit të tij, duke konsumuar kafen e mëngjesit, shkruan “Panorama”.

Burimet thanë se ai ishte njeri i afërt i Hykës, që përveçse shofer, më tepër kishte rolin e truprojës. Policia ka marrë deklarimet e këtij personi, që konsiderohet si dëshmitar kyç i ngjarjes, jo vetëm për faktin se ishte prezent në momentin e ngjarjes, por edhe për shkak se është njeri i besuar i Tofik Hykës.

Megjithatë duket se dëshmia e tij nuk ka shërbyer për ndonjë zhvillim të rëndë- sishëm të hetimit të ngjarjes. Madje shoferi i biznesmenit ka hedhur poshtë edhe dëshmitë e disa të afërmve të Hykës, duke pretenduar se shefi i tij nuk ishte kërcënuar nga askush.

“Unë e shoqëroja kudo sa herë që ai vinte në Shqipëri. Jam një prej njerëzve të tij më të besuar, por nuk më ka folur ndonjëherë për probleme apo ndonjë rrezik serioz që mund t’i vinte nga dikush”, ka deklaruar në polici shoferi i Hykës.

Policia ka shoqëruar 15 persona, mes të cilëve edhe një të dyshuar, që paraditen e djeshme u lanë të lirë, pasi nuk u gjetën prova që t’i lidhin ata me ngjarjen. Nga ana tjetër, shoqërimet e personave të dyshuar kanë vijuar edhe gjatë natës, edhe gjatë gjithë ditës së djeshme. /Panorama