Në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, gjendja duket mjaft e qetë paraditen e kësaj të marte.

Ndërsa Irani është në gjendje lufte pas sulmeve izraelite dhe amerikane  të së shtunës, në kampin ku jetojnë rreth 3000 anëtarë të opozitës iraniane mbizotëron qetësia, siç duket edhe nga pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon.

Përfaqësuesit e kampit janë shprehur se opozita iraniane që ndodhet aty nuk ndihet e frikësuar nga ndonjë sulm i mundshëm nga Teherani dhe se vazhdojnë jetën normalisht.

Masat e sigurisë në këtë kamp janë vetëm ato të sigurisë private dhe nuk ka masa të shtuara sigurie. Deri më tani, as autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një njoftim për rritjen e sigurisë në ambientet e kampit.

Rajoni i Ballkanit dhe veçanërisht Shqipëria janë përballur një ditë më parë me lajme nga një media nga Azerbajxhani, e cila njoftonte se Irani po shqyrton seriozisht mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj kampit Ashraf-3 në Manzë.

Ky lajm ka marrë dhenë pasi Shërbimi për Shtyp i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka lëshuar deklarata kërcënuese përmes kanaleve zyrtare në Telegram, ku theksohet se Teherani nuk e kufizon më veprimtarinë e tij kundër kundërshtarëve brenda një hapësire të caktuar gjeografike.

Sipas autoriteteve iraniane, anëtarët e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK), janë të përfshirë në aktivitete të rrezikshme armiqësore që kërkojnë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë, qoftë edhe mijëra kilometra larg kufijve të tyre.