Frika për përdorimin e armëve bërthamore ka bërë që ministri britanik i Mbrojtjes të udhëtojë menjëherë në Uashington.
Sipas mediave britanike, Londra po bashkëpunon me SHBA-në lëvizjet e saj të radhës, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.
Ministri britanik i Mbrojtjes do të zhvillojë bisedime me zyrtarët e Pentagonit në mënyrë që Londra dhe Uashingtoni të jenë në një linjë të përbashkët kundër agresionit të Kremlinit.
Fakti që ministri britanik Ben Uallace anuloi në minutën e fundit fjalimin e tij para deputetëve për të udhëtuar në Uashington, ku do të zhvillojë bisedime me homologët e tij amerikanë, ka shqetësuar shumë analistët politikë si dhe mediat britanike.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus ka vazhduar të godasë qytetet e Ukrainës, ndërsa homologu i tij amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se njerëzimi është më afër se kurrë një “Harmagedon”.
Ndërkaq, Kremlini njoftoi këtë të mërkurë se katër rajonet e pushtuara të Ukrainës që Vladimir Putini i ka aneksuar janë nën mbrojtjen e arsenalit bërthamor të Rusisë.
Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson janë pjesë të patjetërsueshme të Federatës Ruse dhe siguria e tyre garantohet në të njëjtin nivel si pjesa tjetër e territorit të Rusisë.
Lajmi vjen ndërsa Putini rrit sulmet ndaj Ukrainës duke synuar objektet e energjisë dhe ujit të Ukrainës.
Kievi u ka kërkuar aleatëve të tij perëndimorë për më shumë mbrojtje ajrore për të ndihmuar në mbrojtjen e termocentraleve, pasi presidenti Zelensky thotë se një e treta janë shkatërruar brenda pak më shumë se një jave, pikërisht me fillimin e dimrit.





