Policia e Romës urdhëroi sigurimin maksimal rreth Koloseut, kontroll nëpër portat kryesore dhe mbikëqyrje të veçantë në “Via del Corso”.

Masat antiterrorizëm, siç raportojnë mediat italiane, janë marrë për sezonin e verës. Këtë e pohon shefi i policisë, Nicholas D’ Angelo.

Por duket se pas këtij alarmi qëndron një kërcënim i ri i ISIS. Autoritetet italiane janë vënë në alarm pas publikimit të një video të ISIS, ku paralajmërohet se do të shtrijnë ndikimin e tyre drejt Izraelit për të pushtuar më pas Romën.

Kërcënimi vjen nga grupi terrorist që mbështet ISIS në Wilayat Sayna, një krahinë e shtetit islam në Sinai. Ata kanë kërcënuar se do të godasin Izraelin për të pushtuar më pas Romën.

“Ky është vetëm fillimi, – thotë një zë në videon 35 minutëshe. Takimet tona do të mbahen në Romë dhe në Jeruzalem. Hebrenj na prisni, do të ndëshkoheni rëndë, së shpejti do e paguani shumë shtrenjtë”.