Pak orë pas publikimit të lajmit se kreu i Prokurorisë së Përgjithshme është kërcënuar në celularin e tij, janë identifikuar edhe autorët e këtij kërcënimi.

Sipas burimeve të “News 24”, kërcënuesit i përkasin një grupi kriminal, por emrat nuk bëhen të ditur.

Për kryeprokurorin Llalla janë caktuar tre grupe të gatshme që e kanë nën mbrojtje. Edhe në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë gjithë kohës janë të pranishme forcat e Gardës së Republikës.

Gjatë ditës së sotme, Kryeprokurori ka qëndruar gjatë gjithë ditës në zyrën e tij deri në orët e pasdites.

Dyshohet se autorët e kërcënimit janë pjesë e një grupi kriminal të njohur për gjobvënie.

Hetimi për këtë çështje, për shkak të sekretit hetimor, është përqendruar në duart e një grupi shumë të vogël prokurorësh dhe hetuesish.