TIRANE, 08 mars 2013– Vrasjen e tij e ka parë vetëm një person, i cili tashmë duhet që të harrojë pjesën tjetër të jetës. Pasditen e 24 shkurtit, kur në kryeqytet u ekzekutua në mënyrë mafioze një kryekomisar policie, jeta ka marrë tjetër rrjedhë edhe për një nga dëshmitarët okularë, i cili është gjendur rastësisht atë ditë, duke kaluar pranë vendit ku u ekzekutua Dritan Lamaj. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur nga forcat e policisë për shkak të sigurisë së tij, por dihet se bëhet fjalë për një picier të një prej picerive në kryeqytet, i cili në momentin që mbi trupin e kryekomisarit Lamaj janë shkrehur plumbat, ka qenë duke kaluar në rrugicën aty pranë. Sipas policisë, në momentet e breshërisë së automatikut, djaloshit i ka shpëtuar motori nga duart dhe është shtrirë poshtë tij. Sipas policisë, ai ka qenë personi i vetëm që ka parë ngjarjen nga afër dhe që ka dhënë disa karakteristika për ata që kanë qëlluar mbi ish-shefin e komisariatit nr.6 në kryeqytet. 

Që prej asaj dite, dëshmitari okular i ngjarjes është marrë në mbrojtje nga forcat e policisë. Madje, po burime nga policia dhe nga persona që e njohin djalin, pohojnë se ditët e fundit edhe ai ka marrë kërcënime për jetën. Kjo ka bërë që policia të shtojë masat dhe të rrisë numrin e forcave policore për të përforcuar mbrojtjen e dëshmitarit të ngjarjes. Prej disa ditësh, blutë kanë marrë në mbrojtje edhe familjen e kryekomisarit, banesa e të cilit ruhet çdo ditë nga policë me uniformë, ashtu edhe nga ata pa uniformë. 

Ekzekutimi

Pasditen e 24 shkurtit në kryeqytet u ekzekutua në mënyrë mafioze ish-shefi i komisariatit nr. 6 në kryeqytet, Dritan Lamaj. Pas ekzekutimit të tij, policia doli në një konkluzion se vrasja është bërë për shkak të detyrës. Më vonë në pah dolën të gjitha konfliktet që ka pasur kryekomisari gjatë ushtrimit të detyrës së tij, mes të cilave edhe konflikti me biznesmenin Arben Frroku. Madje, ky konflikt shërbeu si shkas që pak orë pas ekzekutimit të Lamajt, policia të arrestonte në Selanik biznesmenin Frroku, si një nga personat e dyshuar për vrasjen e kryekomisarit. Nga vrasja e tij kanë kaluar afro dy javë, por ende hetimet e policisë duken se janë në pikën zero. Kjo për faktin se pala mbrojtëse e familjes Frroku ka vendosur që ta apelojë vendimin për arrestimin e klientit të tij, duke qenë se ka siguruar provat e mjaftueshme kundër arrestimit të tij. Sikur të mos mjaftonte kjo, pak ditë më parë një tjetër provë e bërë publike nga ana e prokurorisë hodhi në erë të gjitha hetimet, pasi telefoni i sekuestruar i biznesmenit tregoi se ai ka qenë në Krrabë gjatë kohës që në kryeqytet u ekzekutua Lamaj. Ndërkohë, prokuroria është duke përgatitur dosjen me faktet e nevojshme për të lejuar ekstradimin e Frrokut nga Greqia në drejtim të vendit tonë.