Tiranë, 30 maj 2014 – Një biznesmen është kërcënuar me jetë. Burime nga policia e Tiranës kanë sqaruar se biznesmeni me iniciale P.T, para dy ditësh ka bërë denoncimin e tij pranë strukturave të policisë, duke pretenduar se në numrin e tij celular ka marrë disa thirrje kërcënuese për disa ditë më radhë, ku i kërkohej që telefonuesve t’u jepte lekët që ata dëshironin. 

Biznesmeni gjatë denoncimit të tij është shprehur se bëhet fjalë për shumën prej 45 mijë eurove, e cila i është kërkuar nga ana tjetër e telefonit nga persona që P.T nuk i njeh. Kjo ka qenë arsyeja se pse ai ka vendosur që të bëjë denoncimin pranë bluve të Tiranës, pasi ndihet i kërcënuar për jetën e tij dhe të familjes së tij.

“Mendo për jetën tënde dhe familjes tënde”,- ka qenë kërcënimi që kanë përdorur telefonuesit në adresë të biznesmenit. Ai ka deklaruar se nuk ka probleme me njeri dhe se kjo është hera e parë që kërcënohet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/