12 gusht 2015 – Në Gjermani nuk shkohet vetëm për azil ekonomik, por edhe për arsye sigurie. Fati i ka buzëqeshur kampionit shqiptar në kërcimin së gjati, Admir Bregu, i cili ka fituar të drejtën e azilit në Gjermani së bashku me gruan e tij, Suela dhe vajzën Grejsi. Admiri udhëtoi para një viti e gjysmë për në Gjermani, me arsyen se i rrezikohej jeta në Shqipëri, për shkak se bashkëshortja kishte qenë dëshmitare në grabitjen e një banke të nivelit të dytë në Tiranë.

Bashkëshortja e Admirit punonte si arkëtare në bankë dhe kishte arritur që t’i identifikonte grabitësit, duke u ndierë më pas e kërcënuar në Shqipëri. Pas arritjes në Gjermani, familja Bregu u vendos në Kalkar, teksa në shkallën e parë iu refuzua pranimi i azilit, por pas rishikimit e përfitoi. Si për ironi, fati i ka buzëqeshur dyfish familjes Bregu, pasi përpos faktit që tashmë janë të sigurt, Admiri tani ka mundësinë që të punojë si trajner moshash në Gjermani, teksa tashmë ka filluar si instruktor atletike i ekipit të moshave U-17 të femrave në Kalkar. Duke dashur vetëm Shqipërinë, ai më parë refuzoi shumë oferta dhe në fund vitet i ikën të mbushura vetëm me falënderime.

Historia ka tërhequr edhe vëmendjen e medieve gjermane, të cilat i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë rastit në fjalë. Në një intervistë për “Derwesten”, ai shprehet se

“Ne ndihemi shumë mirë në Gjermani. Gruaja është e kënaqur, por mbi të gjitha jemi të kënaqur me vajzën dhe progresin që ajo po bën në mësimin e gjuhës gjermane”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/