Policia ka arrestuar një 48-vjeçar në fshatin Akërni të Vlorës, pasi ka kanosur gruan e tij me kallashnikov dhe ka qëlluar në ajër, duke rrezikuar jetën e banorëve të fshatit.
Sipas uniformave blu ka rënë në pranga shtetasi me inicialet B.I.
Në momentit që 48-vjeçari vuri re shërbimet e Policisë tentoi të largohej me automjet, por u bllokua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
“Pas marrjes së njoftimit në orët e mëngjesit se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Akërni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, u finalizua operacioni policor “Strike 22”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë, në tentativë për t’u larguar me automjetin e tij, shtetasi B. I., 48 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën ai kishte kërcënuar bashkëshorten e tij.
Në vijim të kontrollit në stanin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një sasi lënde narkotike cannabis dhe municion luftarak”, njofton policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.