Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me partnerët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohen në bashkëpunim me partnerët gjermanë dy operacione të koduara “Para drejtësisë.”

Operacionet u realizuan falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë me Interpol Wiesbaden/Gjermani, nëpërmjet Interpol Tiranës.

Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar në Gjermani shtetasit:

– F. B., alias F. Z., 37 vjeç, lindur në Vlorë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg,” për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore,” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal,” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale.”

Ky shtetas dyshohet se në vitin 2019, ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshortin e një gjyqtareje e cila ishte pjesë e trupit gjykues në një gjyq që zhvillohej kundër një grupi të krimit të organizuar. Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është identifikuar si autor i këtij sulmi shtetasi F. B., alias F. Z.