5 maj 2015 – Shefi i Krimeve të Kukësit, i cili u përfshi dje në një skandal ku u drejtoi pistoletën protestuesve, sot është pezulluar nga puna.
Në një video shihet qartë që shefi i krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës, Albion Gjitoni, i cili ishte dhe civil, kërcënon me armë protestuesit dhe ushtron dhunë fizike dhe verbale ndaj tyre.
Lajmin për pezullimin e tij nga detyra, e bëri të ditur vetë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“Pavarësisht se protesta e disa qytetarëve në Kukës ishte e paligjshme dhe e dhunshme, punonjësi i Policisë së Shtetit është pezulluar deri në hetimin e plotë të ligjshmërisë së veprimeve dhe zbatimit të procedurave të parashikuara. Detyrimi i punonjësve të policisë për të respektuar ligjin, është më i madh se liria që çdo qytetar mund t’i japë vetes për të shkelur ligjin”, shkruan Tahiri.
Ngjarjen në fjalë mund ta lexoni këtu: Shefi i policisë në Kukës u drejton armën protestuesve
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/