Agjentët e FBI-së kanë vrarë një person që dyshohet se ka kërcënuar presidentin amerikan Joe Biden. Ata ishin në kërkim të të dyshuarit në Provo, në jug të Salt Lake City, Utah , kur ndodhën të shtënat.
Presidenti ishte planifikuar të mbërrinte në Utah vetëm disa orë pas bastisjes dhe të shtënave. I dyshuari mendohet se ka kërcënuar më parë edhe, Zëvendës Presidenten, Kamala Harris dhe Prokurorin e Qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg.
I quajtur Craig Robertson kishte postuar në internet se Presidenti Biden po vinte në Utah dhe se po planifikonte të gjente një kostum kamuflazhi dhe do të përdore snajperin e tij M24 me të cilin do të kryente atentatin.
Ai ka deklaruar se është mbështetës i ish-presidentit Trump dhe në të kaluarën ka postuar kërcënime ndaj zyrtarëve të forcave të zbatimit të ligjit. Fqinjët e të dyshuarit thonë se ai është i dobët, i moshuar dhe ecte me ndihmën e një shkopi. Ndonëse ai mbante rregullisht armë, Robertson mosha e të cilit është 74 vjeç nuk shihej si një kërcënim.
Sipas autoriteteve, Robertson kishte shkruar në Facebook në Shtator të vitit 2022 se është koha e duhur për një ose dy vrasje presidenciale. “Së pari Joe, pastaj Kamala!!!”, shkruante ai. Postimi i tij është përfshirë në dosjen e dorëzuar në gjykatë. Në dokumentet e dorëzuara nuk përmendet asnjë avokat i të pandehurit Craig Deleeuw Robertson.