Terroristi rus Vladislav Poznajkov ka hyrë në Shqipëri në datën 4 shkurt, përmes pikës doganore të Hanit të Hotit dhe nuk ka dalë më nga territori i vendit tonë, raporton Panorama.al.

Mësohet se shtetasi rus i cili rezulton i shpallur në kërkim nga autoritetet në Malin e Zi, ka hyrë në Shqipëri me një automjet me targa ruse, ndërkohë që ende nuk është gjetur nga autoritetet shqiptare.

I riu në fjalë ka kërcënuar se do të kryente shpërthime me tritol në Budva.

Në rastin më të fundit, ekstremisti rus kishte dërguar një letër kërcënuese ndaj autoriteteve malazeze ku u pohonte se “nëse të gjitha televizionet në Mal të Zi nuk raportojnë afirmativisht për agresionin e Rusisë në Ukrainë, një qendër tregtare në Budva do të shkatërrohet”.

Pozdnyakov, rezulton të jetë lideri i një grupi ultra-nacionalist rus, “Shteti Mashkull”, që numëron rreth 150 mijë anëtarë në rrjete sociale.

Ai është arrestuar disa herë për veprime të dhunshme dhe kërcënuese ndaj njerëzve me ngjyrë.

Në vitin 2021 ai nisi një fushatë kërcënimesh dhe abuzimesh kundër një kompanie për shkak të reklamimit nga një modele me ngjyrë.

Nën presionin e ushtrisë online të Pozdnyakov, i cili kërcënoi biznesin dhe publikoi informacionin e kontaktit të modeleve femra të bardha që u shfaqën në reklamë, zinxhiri i sushit e tërhoqi nga tregu reklamën.