Një shtetas i dyfishtë amerikan dhe gjerman është arrestuar për tentativën e dyshuar për të djegur ambasadën amerikane në Tel Aviv, Izrael, sipas departamentit të drejtësisë. Zyrtarët thanë se arrestuan Joseph Neumayer, 28 vjeç, në aeroportin John F Kennedy në New York. Ai u deportua nga autoritetet izraelite pasi iu gjetën mjete shpërthyese në një çantë shpine pranë ambasadës. Bëhet e ditur se Neumeyer u paraqit në gjykatë dhe po mbahet në burg.
“Ky i pandehur akuzohet për planifikimin e një sulmi shkatërrues që synonte ambasadën tonë në Izrael, duke kërcënuar me vdekje amerikanët dhe jetën e presidentit Trump”, tha Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi.
Arrestimi vjen vetëm disa ditë pasi një person i armatosur vrau dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite jashtë një muzeu hebre në Uashington. Zyrtarët federalë thonë se Neumayer mbërriti në Izrael në prill dhe më 19 maj u drejtua për në ambasadën e SHBA-së në Tel Aviv me një çantë shpine me ngjyrë të errët.
Raportohet se 28-vjeçari pështyu mbi një roje të ambasadës ndërsa po kalonte. Kur roja u përpoq ta ndalonte, ai dyshohet se u largua, duke lënë pas një çantë shpine me tre kokteje molotov, bomba të vogla të bëra me lëngje të ndezshme që synojnë të ndezin zjarr pasi të ndizen dhe të hidhen.
Zyrtarët thonë se ai kishte postuar në rrjete sociale duke u zotuar se do të djegte ambasadën në Tel Aviv dhe kishte bërë thirrje për vdekje Amerikës, vdekje amerikanëve. Gjithashtu, sipas zyrtarëve, Neumeyer kërcënoi se do të vriste Trumpin. Gjithashtu i pandehuri u kthye të dielën në SHBA, ku u arrestua. Ai përballet me një maksimum prej 20 vitesh burg nëse shpallet fajtor.





