Tërmeti e dëmtoi në shkallën DS3, por amortizimi i mëtejshëm gjatë këtyre 4 viteve që pret t’i nënshtrohet rikonstruksionit e ka dëmtuar shumë më tepër pallatin nr.15, në lagjen nr.12 në Durrës.

Vjedhja që i kanë bërë hajdutët, kanë krijuar këtë pamje mjerane që ofron sot godina shumëkatëshe.

Ndërkohë 65 familjet këmbëngulin të futen në apartamente, duke rrezikuar edhe jetën, sepse janë të lodhur nga premtimet institucionale.
“Ne jemi bërë gati që të hënën të nisim të futemi brenda. U kërkuam një përgjigje, pritëm dy javë, por nuk na erdhi. Prandaj do nisim të futemi”.
“Në këto kushte ku jemi tani, pa bonus, pa pallat që ka nisur të rikonstruktohet, ne do nisim të futemi nëpër shtëpitë tona. Të mbajë përgjegjësi shteti, nëse mua apo dikujt tjetër na bie ndonjë tullë në kokë.”,- thonë disa nga banorët.



Prej 7 muajsh nuk marrin bonusin, gjë që e ka vështirësuar së tepërmi situatën ekonomike të tyre. Ndërkohë ping pongu institucional po u heq shpresat se pallati i tyre do t’i nënshtrohet rikonstruksionit për të riparuar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Nga ministria përkatëse na kthehet përgjigja, që çështja i takon bashkisë, sepse fondet i kanë kaluar bashkisë. Ndërkohë nga bashkia na thuhet se po presim fonde nga ministria. Është një top që pasohet sa në një institucion në tjetrin”.
“Ne kemi bërë protesta dhe nuk ka dëgjon njeri. Kemi punuar gjithë jetën për këtë shtëpi. Po na gënjejnë”.
“Ne jemi nevojtarë. Unë marr pension 100 mijë lekë të vjetra, edhe çuni 100 mijë lekë. Çfarë do të bëjmë? Marrim borxhe, që ta shtyjmë”,- deklarojnë banorët të indinjuar.

Pallati 11 katësh është aktualisht një nga godinat, që dëshmon dëmet shkatërrimtare që shkaktoi tërmeti i fund nëntorit të 4 viteve më parë. Bashkia e Durrësit, në rrugë zyrtare, bën të ditur se janë në pritje të akordimit të fondit nga Ministria e Infrastrukturës, për të zhvilluar më pas tenderin, që do t’i hapte rrugë nisjes së rikonstruksionit të godinës.
Pavarësisht protestave të vazhdueshme të 65 familjeve, kjo e sotmja nuk pritet të jetë protesta e fundit….
M.B.





