16 nëntor 2015 – “Do të shtyp me makinë. Do të djeg me acid. Do të vras. Ti nuk do të lidhesh me mashkull tjetër”. Një 42­-vjeçar kryeqytetas ka kërcënuar me këto fjalë ish­-të dashurën e tij, financiere në një prej fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë. Pas një marrëdhënieje dashurie 6- mujore, Albert P. nuk e ka pranuar vendimin e partneres T. I. për t’u ndarë.

Për dy muaj me radhë, ai e ka përndjekur hap pas hapi, pa i kursyer veprimet e dhunshme dhe telefonatat kërcënuese. Pas kallëzimit të financieres, Albert P. përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës. Pak ditë më parë, ai u fajësua për akuzën e “përndjekjes” dhe u dënua me 6 muaj e 20 ditë burg. Sipas Gjykatës, ai i ka shkaktuar kallëzueses një gjendje të vazhdueshme ankthi. Në periudhën qershor-gusht 2014, i pandehuri e ka telefonuar 126 herë kallëzuesen, me një shpeshtësi deri në 14 thirrje në ditë. Ndërkohë nuk ka marrë asnjë telefonatë prej saj. Ai u gjykua në gjendje të lirë. Gjatë procesit ka shfaqur pendesë, duke pohuar se e kishte pasur të vështirë të pranonte ndarjen, por nuk kishte pasur qëllim përndjekjen e ish-­të dashurës. Në vijim zbardhet “tmerri” i përjetuar nga kallëzuesja, referuar vendimit të gjykatës.

PËRNDJEKJA

Nga shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se kallëzuesja T.I. me të pandehurin Albert P. janë njohur para një viti dhe kanë pasur lidhje shpirtërore, duke qëndruar bashkë për një periudhë prej 6 muajsh. Rreth tre muaj përpara kallëzimit, financierja ka vendosur të ndahet, fakt të cilin i pandehuri nuk e ka pranuar. Kështu, pasi janë ndarë, i pandehuri e ka ndjekur kallëzuesen në çdo vend ku i duhej të shkonte, në punë e në shtëpi, duke e kërcënuar nëpërmjet telefonit dhe duke i thënë se do ta shtype, do ta digjte me acid, do ta vriste dhe se ajo nuk do të lidhej me mashkull tjetër.

SHPIMI I GOMAVE

Në datën 01.08.2014, kallë­zuesja ndodhej duke drejtuar mjetin e saj në semaforin te Komuna e Parisit, ku ishte në pritje të hapjes së dritës jeshile. Në këtë çast, i pandehuri Albert P. ka ndaluar paralelisht me mjetin e tij dhe pasi ka dalë nga mjeti, me një thikë që e ka nxjerrë nga xhepi, ka çarë dy gomat e para të mjetit të kallë­zueses, tip “BMË”.

SULMI NË FAKULTET

Në datën 02.09.2014, shtetasja T.I. është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.4, Tiranë, ku ka kallëzuar se është shqetësuar nga i pandehuri në telefon. 42­vjeçari i ka kërkuar takim, ndërsa ajo e ka refuzuar, por i pandehuri ka reaguar duke tentuar të futet me forcë në zyrën e saj të punës. Pasi ka mbyllur derën me forcë, ka njoftuar në numrin 129. I pandehuri është larguar përpara se të mbërrinin punonjësit e policisë. Nga këqyrja e numrit të telefonit të kallëzueses ka rezultuar se Alberti i kishte dërguar një SMS, ku thuhej: Hape telefonin se dua të them dy fjalë, nuk e kuptoj përse trembesh, nuk të shqetësoj më. I pyetur në lidhje me këtë episod, i pandehuri ka pohuar duke pranuar që ishte i dashuruar me kallëzuesen dhe nuk mund të ndahej me të.

KËRCËNIMI NË RRUGË

Në datën 12.09.2014, rreth orës 18:30, kallëzuesja ndodhej te hyrja e Kopshtit Zoologjik, ku ka parë të pandehurin që e priste pranë makinës së saj. Kur është afruar te mjeti, i pandehuri i është drejtuar kallëzueses duke bërtitur me ton të lartë se “kishe dalë me të dashurin e radhës”, duke tentuar ta kapte me duar. Ajo ka kërkuar ndihmën e disa policëve rrugorë që ishin aty pranë, të cilët janë afruar dhe kanë mbajtur të pandehurin derisa kallëzuesja është larguar.

THYERJA E MAKINËS

Rreth orës 20:30, të datës 5 prill 2015, shtetasja T.I. ka kallëzuar se rreth orës 17:00 kishte parkuar mjetin e saj “Smart” në rrugën “Ramazan Demneri”, ndërsa vetë po pinte kafe në një lokal aty pranë. Kur ka dalë nga lokali, rreth orës 19:30 ka parë makinën e Albertit pranë mjetit të saj, që është larguar me shpejtësi. Kur është afruar te makina e saj, ka konstatuar se ishte thyer xhami i derës së pasagjerit. /Panorama

/portali DurresLajm/