Pas kërkesës së dërguar nga OFL për deklarimin e pasurisë së Lulzim Berishës brenda 48 orëve, ka reaguar motra e tij, Luljeta Berisha.
Sipas saj, me vendim të Gjykatës së Lartë i janë kthyer ato prona në emër të saj, që më parë ishin sekuestruar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Reagimi i Luljeta Berishës:
“Burgun e përjetshëm e ka hequr Gjykata e Lartë. Pasuritë e tij dhe familjes së tij, bashkëshortes dhe fëmijëve, janë të sekuestruara dhe të kaluara në emër të shtetit me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndërsa unë Luljeta Berisha kam vendimin e Gjykatës së Lartë që më janë kthyer ato prona në emër tim dhe kam dhe pafajësi po nga ajo gjykatë për sa i përket akuzës për pastrim parash”.
Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, Policia e Shtetit doli sot në dekaratë për mediat, nga ku informoi se në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasit Lulzim Berisha, 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Adria”, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht.





