Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Tartar Bazaj, i ka dërguar një kërkesë të pazakontë kreut të KLP-së, Gent Ibrahimit. Në këtë letër zyrtare, Bazaj shprehet se sipas informacioneve të tij, gjatë muajit janar, në adresë të tij i janë dërguar disa kartolina të ndryshme urimi për Vitin e Ri.

Ai shprehet se nuk i ka marrë këto kartolina, dhe për këtë kërkon informacion: së pari, nëse kanë ardhur apo jo letra urimi në adresën e tij, dhe nëse po, përse nuk i janë dorëzuar.

“Gjatë ditëve të janarit 2020, jam informuar nga drejtues institucionesh që në adresën time janë nisur kartolina të ndryshme urimi për Vitin e Ri 2020. Këto ashtu sikurse janë nisur për të gjithë Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ajo që më ka bërë përshtypje është se disa nga kolegët që kam pyetur, më kanë konfirmuar një gjë të tillë, ndërsa mua çuditërisht ende nuk më është vënë në dispozicion asnjë kartolinë.

Për sa më sipër, edhe pse nuk do ta besoja kurrë që ndonjë person i caktuar të bjerë në një nivel kaq të ulët sa të më mbahen edhe kartolinat e urimit, por gjithsesi do të doja të kisha një informacion si më poshtë:

1-Nëse në adresën time pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka ardhur ndonjë kartolinë Urimi për Vitin e Ri 2020 ose jo?

2-Dhe nëse po, kanë mbetur rastësisht pa u ndarë apo cilat janë arsyet e mos dorëzimit të tyre tek personi im?”, shkruan ndër të tjera Bazaj.