Pas kërkesës së tre organizata për shfuqizimin e ligjit dhe vendimit qeveritar të cilët i hapin rrugën ndërtimit të një hidrocentrali mbi Drinin e Zi në Skavicë të Kukësit, Gjykata Kushtetuese ka dalë sot me vendim.

Gjykata ka vlerësuar se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore, duke shtuar se duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 12.12.2023 dhe 10.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues: shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, shoqata “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se:

Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ.

Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.