Klubet e Kategorisë Superiore kërkojnë rritjen e numrit të lojtarëve të huaj që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Gjithçka kur kanë mbetur vetëm dy javë nga mbyllja e merkatos së janarit, ku kryefjala e përforcimeve kanë qenë lojtarët e huaj. Nisma është ndërmarrë nga klubi i Flamurtarit, që menjëherë ka gjetur mbështetjen e Partizanit dhe të Bylisit. Pikërisht këto tre klube janë të parat që firmosën kërkesën zyrtare drejtuar presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe Komitetit Ekzekutiv.
Në përmbajtje lexohet se “klubet e Kategorisë Superiore pasi kanë rënë dakord, kërkojnë nga Federata e Futbollit rritjen e numrit të lojtarëve të huaj në fushë, jo më pak se gjashtë”. Deri më tani, kufizimi i vendosur për t'i dhënë më tepër hapësira lojtarëve shqiptarë, parashikonte që vetëm katër të huaj mund të zbrisnin në fushë menjëherë. Rasti më konkret në pjesën e parë të sezonit ishte Kukësi, që me gjashtë lojtarë brazilianë në kontingjent detyrohej që t'i zëvendësonte thuajse gjithmonë me njëri-tjetrin, për të respektuar rregulloren.
Kërkesa e Flamurtarit është bërë me argumentin se rritja e numrit të lojtarëve të huaj që mund të zbresin në fushë do të ndikonte në rritjen e cilësisë së kampionatit. Përveç mbështetjes nga Partizani dhe Laçi, vlonjatët pretendojnë se edhe klubet e tjera të Kategorisë Superiore janë dakord me propozimin. Të Premten, përveç klubit iniciator të kësaj kërkese, firmën në këtë dokument e kishin vendosur edhe drejtuesit e Partizanit dhe Bylis.
Ndërkohë, mësohet se së fundmi kanë firmosur këtë kërkesë edhe drejtuesit e Kukësit, Laçit dhe Tërbunit duke e çuar momentalisht në 6 numrin e skuadrave që kërkojnë shtimin e futbollistëve të huaj në fushë. Burime nga klubi Flamurtari bëjnë të ditur se përgjigje negative ka dhënë për momentin Tirana, ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga drejtuesit e Teutës, Vllaznisë dhe Skënderbeut.