Vrasja e 19-vjeçares dhe më pas vetëvrasja e autorit, ishte krimi që tronditi vendin mëngjesin e kësaj të premteje.

Xhafer Mata qëlloi me 2 plumba pistolete Xhuljeta Çunin dhe si qëndroi 15 minuta në trotuar pasi e kishte vrarë ish të dashurën, kaloi në anën tjetër të rrugës dhe qëlloi veten në kokë para policisë që kishte mbërritur në vendngjarje, lajmëruar nga dëshmitarët e shumtë.

Mëngjesin e sotëm, Xhuljeta po shkonte për të dhënë provimin e letërsisë, pasi ishte maturante. Ajo kishte punuar për 5 muaj shitëse në një market të zonës, punë të cilën e kishte lënë që në muajin shkurt për shkak të provimeve dhe do të kthehej aty me të mbaruar shkollën.

31-vjeçari i ndërpriste rrugën çdo ditë Xhulietës, për ta bindur që ta merrte nuse në shtëpi, për të kurorëzuar kështu lidhjen intime disavjeçare.

Ai nuk ishte një emër i panjohur për forcat blu të Tiranës, pasi viktima kishte bërë katër herë denoncim në polici se e ngacmonte. Mata është shoqëruar në komisariat, por me premtimin se nuk do e ngacmonte më është lënë i lire, liri e cila i mori jetën 19-vjeçares dhe atij vetë!