Mbledhja e sotme e Këshillit të Legjislacionit, ku po diskutohej kërkesa e PD-së për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryeparlamentare është shoqëruar me debate.

Deputetët e PD-së, Dhurata Çupi dhe Saimir Koreshi pohuan se relator i çështjes ishte zoti Gazment Bardhi, i cili është përjashtuar nga punimet e Kuvendit.

Sipas tyre përjashtimi i deputetëve të PD-së është bërë me qëllim që të kalojë për votim nga maxhoranca ky raport.

“Seancat nuk kanë qenë live. Mbledhjen nuk keni mundur ta ndiqni as live dhe as me praninë e gazetarëve, Seancën e kaluar nuk e ngritëm këtë shqetësim. Këtë mbledhje debatuam dhe nuk lejuan që kamerat jenë në sallë në transparencë me publikun dhe median. Në mbledhjen e kaluar u vendos që ditën e premte të lexoheshin raportet nga palët përkatëse. Relator u caktua Gazment Bardhi. Pasi u mbyll këshilli i legjislacionit të mërkurën, Bardhi u përjashtua për 10 ditë nga mbledhjen e komisionit. Kjo ishte arsyeja pse opozita depozitoi raportin por nuk ishte i pranishëm Bardhi për shkak se është përjashtuar pas mbledhjes. Kjo nuk u miratua nga kryetarja e seancës së radhës, zonja Felaj dhe nuk u mbështet as nga maxhoranca. Do të ndjekim të gjitha procedurat e vijuara më tej”, tha Çupi.

Ndërkohë, Koreshi tha se PS përgjigjen do e marrë nesër me protestën e opozitës.

Demokratët kërkuan shkarkimin e Lindita Nikollës nga posti i kryetares së parlamentit, me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën e vendit.