Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin social X pas deklaratave të Shoqatës së Gjyqtarëve.

Rama shkruan për kërkesën e magjistratëve për rritje page, duke bërë dhe ironi teksa komenton se ata kërkojnë që deti të bëhet kos, me rritjen prej 1600 euro mbi pagën aktuale.

Nga ana tjetër, Rama e lidh kërkesën e tyre me rritje page, me atë që ata po bëjnë sipas tij duke zëvendësuar qeverinë me vendim gjykate, teksa i “fton” se meqë arrijnë të ndryshojnë qeverinë me gjykatë pse nuk i marrin dhe rritjen e pagës me vendim gjykate.

Reagimi i Ramës:

“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!

Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!

Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.

Si ka mundësi?!

Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?!

Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!