Interesimi i nxënësve për arsimin e mesëm profesional mbetet i lartë këto ditë, kur regjistrimet në të gjitha shkollat e vendit janë të hapura.

Në shkollën “Beqir Çela” në Durrës, një nga më të mirat në shkallë vendi përsa i përket arsimit profesional numri më i madh i nxënësve që do të regjistrohen në vit të parë janë në degën e teknologjisë së informacionit. Sipas drejtorit Fatmir Mërkuri, nxënësit e kanë përqafuar këtë trend të ri që garanton punë të sigurt brenda apo jashtë vendit.

“Shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela” ka 5 drejtime që ofron. Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara ka një ndryshim në preferenca. Nxënësit kanë nisur të orientohen drejt teknolpgjisë së informacionit. Po ashtu edhe elektroteknika, degë që ka rritur kërkesën. Kemi degë tjetër termohidraulikën, edhe kjo mjaft e kërkuar, pasi nxënësit tanë punësohen 100% sapo përfundojnë shkollën. Vitin e fundit kemi futur edhe degën e mekanikës së përgjithshme”,- thotë Mërkuri.

Tradicionalisht kjo shkollë është ndjekur masivisht nga djemtë, për shkak të formimit mekanik që ajo ofron, por këtë vit risia janë facilitetet e krijuara për vajzat që do ta frekuentojnë atë.

Regjistrimet janë të hapura deri në fund të muajit shtator, ndërkohë që prej ditësh, në këtë shkollë gjatë orëve të paradites është një staf teknik që u ofron ndihmë të rinjve dhe prindërve të tyre për të aplikuar në e-albania.

Përgjatë këtij viti arsimor, në këtë shkollë do të nisë investimi për rikonstruksionin e konviktit dhe bazës prodhuese.  

M.B.