LONDER– Policia britanike ka nisur kërkimet intensive për arrestimin e Ilir Kumbaros, ish – shefit të shërbimit sekret shqiptar i akuzuar për rastin e zhdukjes së Remzi Hoxhës.
Njësitet policore të kriminalistikës në Scotland Yard siç mëson INA, para dy javësh kanë nisur gjahun në kërkim të 59 vjeçarit, i cili në Angli po shfrytëzon një identitet të rremë të një shtetasi të Kosovës, Shaqa Shatri.
Ish- kryetari i Degës së Parë Operative në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro u dënua vitin e kaluar me 15 vite burg, për torturim me pasoja të rënda që çoi në vrasjen e biznesmenit nga Maqedonia, Remzi Hoxha.
Detektivi Murray Duffin i Policisë Metropolitane të Londrës ka theksuar se policia po vijon kërkimet intensive për të nxjerrë para drejtësisë Kumbaron.
“Lajmi rreth burgimit në mungesë vetëm sa e forcon vendimin tonë që të ndihmojmë ta sjellim ate para drejtësisë”, ka theksuar Duffin.
Kumbaro dështoi të paraqitet para gjyqit Westminster Magistrates Court për dëgjimin rreth ekstradimit të tij në nëntor të vitit 2011.
Policia Metropolitane e Londrës ka apeluar qytetarët që nëse kanë ndonjë informatë se ku gjendet Kumbaro mund të bëjnë thirrje anonime tek Crimestoppers në 0800 555 111.