Prej disa ditësh, familja e 68-vjeçarit çek Pavel Pospisil jeton në ankth, pasi ai është zhdukur pa lënë gjurmë në Durrës.
Forcat e Policisë së Shtetit, së bashku me familjarë dhe të afërm të ardhur nga Çekia, po kryejnë kërkime intensive në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku Pospisil është parë për herë të fundit. Në operacion janë përfshirë edhe qentë gjurmues.
Ndërkohë që territori po monitorohet dhe me dron nga forcat policore. Pamjet janë fokusuar më shumë në territoret e thepisura të zonës së Shkëmbit të Kavajës.

Turisti është parë për herë të fundit më 12 shtator, rreth orës 11:00 paradite, kur u nis për një ekskursion drejt Shkëmbit të Kavajës. Përpara se të largohej nga plazhi, ku pushonte bashkë me gruan, vajzën dhe djalin, ai u tha familjarëve se do të shkonte në dhomë për t’u veshur dhe më pas do të ngjitej në shkëmb. Që nga ai moment, kontakti me të është ndërprerë.
Shkëmbi i Kavajës është një destinacion i frekuentuar nga turistët e huaj, veçanërisht çekë të apasionuar pas ngjitjeve dhe ekskursioneve malore. Deri më tani, nuk ka ende asnjë gjurmë për fatin e turistit 68-vjeçar.







