Njëmbëdhjetë vite pas zhdukjes së fluturimit MH370 të Malaysia Airlines, me 239 persona në bord, misteri mbetet ende i pazgjidhur.

Më 30 dhjetor nis një kërkim i ri në fundin e Oqeanit Indian, në brigjet e Australisë Perëndimore, nga kompania amerikane Ocean Infinity. Ndërkohë, një ekspert i sigurisë së aviacionit ka paraqitur për Independent pesë skenarët më realistë mbi atë që mund të ketë ndodhur.

1. Vetëvrasje e pilotit

Teoria më e debatuar lidhet me komandantin e fluturimit, 53-vjeçarin Zaharie Shah, i cili u nis nga Kuala Lumpuri me destinacion Pekinin.

Sipas këtij skenari, piloti dyshohet se ka përjashtuar bashkëpilotit nga kabina e pilotimit, ka çaktivizuar sistemet e komunikimit dhe ka shkaktuar dekompresion të kabinës, duke çuar pasagjerët dhe ekuipazhin në hipoksi.

Teoria sugjeron se më pas ai fluturoi përgjatë kufirit Malajzi–Tajlandë për të shmangur radarët ushtarakë dhe u drejtua nga jugu, drejt një zone ku besonte se avioni nuk do të gjendej kurrë.

Megjithatë, raporti zyrtar thekson se nuk ka pasur asnjë tregues për probleme psikologjike, ndryshime në sjellje apo presione familjare.

Po ashtu, bashkëpiloti 27-vjeçar, Farik Abdul Hamid, i cili po fluturonte një Boeing 777 vetëm për herë të pestë, konsiderohet pak i mundshëm të kishte aftësinë për të realizuar një plan kaq kompleks.

2. Marrje kontrolli e avionit nga piloti

Një teori e dytë, më pak e përhapur, sugjeron se një nga pilotët mund të ketë tentuar të marrë kontrollin e avionit me qëllim uljen ose braktisjen e tij në kushte të mbijetuara, por ka dështuar dhe ka humbur ndjenjat për shkak të hipoksisë.

Edhe kjo teori bie poshtë nga përfundimet e hetuesve, të cilët nuk gjetën probleme financiare, konflikte personale apo shenja stresi në komunikimet mes pilotëve.

Gjithashtu, theksohet se sistemet për lëshimin e maskave të oksigjenit nuk mund të çaktivizohen manualisht nga kabina e pilotimit.

3. Rrëmbim avioni nga pasagjer ose anëtar i ekuipazhit të kabinës

Me 227 pasagjerë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit të kabinës, nuk përjashtohet mundësia e një rrëmbimi nga dikush brenda avionit.

Edhe pse në aeroportin e Kuala Lumpurit ishin zbatuar të gjitha masat e sigurisë, historia ka treguar se asnjë sistem nuk është plotësisht i pagabueshëm.

Dy pasagjerë iranianë udhëtonin me pasaporta evropiane të vjedhura, por hetimet përfunduan se ata ishin emigrantë të paligjshëm, pa motive terroriste.

Sa i përket ekuipazhit të kabinës, të gjithë kishin familje dhe fëmijë, fakt që konsiderohet pengesë serioze për një veprim të tillë.

4. Kontroll i avionit nga distanca përmes sulmit kibernetik

Një nga teoritë më kontraverse, që prek kufijtë e teorive konspirative, është ajo e marrjes së kontrollit të avionit nga distanca përmes një sulmi kibernetik.

Edhe pse Boeing kishte patentuar që në vitin 2003 një sistem për kontroll të largët të avionëve në rast rrëmbimi, kompania ka deklaruar se kjo teknologji nuk është instaluar kurrë në avionë komercialë.

Raporti zyrtar është i qartë, nuk ka asnjë provë që MH370 mund të kontrollohej ose u kontrollua nga distanca.

5. Marrje kontrolli nga një pasagjer i fshehur

Skenari i fundit lidhet me mundësinë e një pasagjeri të fshehur, i cili mund të ketë hipur në avion para ngritjes dhe të jetë fshehur në një hapësirë poshtë kabinës së pilotimit. Eksperti Philip Baum e rendit këtë skenar si të dytin më të mundshëm pas vetëvrasjes së pilotit.

Edhe pse teorikisht ekziston një hapësirë e tillë dhe mund të lejonte çaktivizimin e transmetuesit, ky skenar ka dobësi të mëdha, personi do të duhej të neutralizonte ekuipazhin dhe pasagjerët, mungesa e tij të mos vihej re kurrë dhe të kishte një motiv të qartë, gjë që nuk është konstatuar.

Asnjë nga pesë skenarët nuk është konfirmuar. Siç theksojnë ekspertët, vetëm gjetja e avionit mund të japë përgjigje përfundimtare. Deri atëherë, zhdukja e fluturimit MH370 mbetet një nga enigmat më të mëdha në historinë e aviacionit civil.