Prej 7 ditësh që vijojnë kërkimet nga polumbarët, forcat e policisë dhe banorë të zonës në brigjet e lumit Fan, në përpjekje për të gjetur trupin e vogëlushit, deri më tani nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të tij.

Rrjedha e fortë e lumit Fan por edhe reshjet e shiut duket se kanë qenë faktorë që kanë ndikuar negativisht dhe kanë vështirësuar kërkimet e forcave në terren, por që në asnjë moment nuk janë ndalur.

Kërkimet janë përqendruar pranë HEC-it të Repsit, ndërsa janë 4 polumbarë në kërkim të fëmijës.

Familjarët kërkojnë shtim të forcave në terren, persona dhe mjete më të specializuara për të bërë të mundur gjetjen e trupit të 10-vjeçarit.

Dyshimet janë se i mituri është mbytur në lumë. Ai rrëshqiti dhe ra në lumë teksa po tentonte të merrte topin që i ra ndërsa luante. Banesa e tij ndodhej pranë lumit dhe në momentin që rrëshqiti ai nuk është parë më.