Kasem Piluri është 57-vjeçari i arrestuar sot nga policia e Vlorës i cili kërkohej ndërkombëtarisht për veprën penale "Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike".
Shqiptari i kërkuar nga Interpol Roma, Itali, ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Katania, Itali, në vitin 2017 me 10 vite burg. Në bashkëpunim me Interpol Tirana vijojnë veprimet e tjera proceduriale në lidhje me ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Panorama shkruan se në qershor të vitit 2017, Prokuroria për Krimet e Rënda në lidhje me hetimin e këtij grupi kriminal që dyshohet të ketë trafikuar sasi kanabisi nga Lugina e Vilunit drejt Italisë, Prokuroria kërkoi arrestimin e shtetasve Renato Çaushi, Andrea Mita, Kasem Piluri dhe Altin Rramolli.
Gjykata caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”, si të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Për llogari të të njëjtit hetim, në vitin 2014 u arrestuan shtatë persona të tjerë, të cilët tentuan të trafikonin një sasi prej 780 kg kanabis. Ata janë gjykuar nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Krimeve të Rënda, ku kanë marrë dënime me burg.
HETIMI NË 2017
Nga hetimi rezultoi se këta persona dhe të tjerë, për të cilët në atë kohë nuk kishte të dhëna të plota, kishin përgatitur trafikimin nga Shqipëria në Itali (Sicili) të lëndës narkotike të sekuestruar.
Nga përpunimi i të dhënave të autoriteteve italiane, Prokuroria shqiptare siguroi të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë se ky grup është përgjegjës për të paktën dy ngarkesa, me rreth 3.5 tonë në total, të cilat janë sekuestruar nga autoritetet italiane në mars dhe prill 2014. Në ato dy operacione të Policisë italiane, sasia e lëndës narkotike është gjetur në dy peshkarexha, të drejtuara nga shtetas italianë, të cilët e kishin siguruar lëndën narkotike nga grupi shqiptar i njohur nga autoritetet si “Viluni” (në bazë të zonës ku u arrestua pjesa e parë e këtij grupi).
FAMILJET MAFIOZE
Prokuroria për Krime të Rënda është duke vijuar veprimet proceduriale të nevojshme për llogari të këtij hetimi.
Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se në periudhën gjatë së cilës janë zhvilluar hetimet, janë marrë informacione të rëndësishme në lidhje me tri grupe kriminale që operonin në territore të ndryshme të Katanias në fushën e trafikut të narkotikëve.
Bëhet fjalë për anëtarë të familjes Moraboito, që zhvillonin aktivitetin e tyre në zonën e populluar të lagjes Picanello, familjes Nizza, e cila zhvillonte aktivitetin në lagjen Libriono dhe të familjes Saita, një prej të cilëve i njohur me nofkën “Skeleti”.
Anëtarë të këtyre familjeve furnizonin këto lagje me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, nga i njëjti furnitor.





