Një shtetas shqiptar është arrestuar në pikën kufitare të Vërmicës në janar të këtij viti, pasi emri i tij kishte qenë në listën e Interpolit

Kreshnik Dodaj kërkohej nga autoritetet gjermane për veprën penale "vjedhje e rëndë me armë në bashkëkryerje" në vitin 2015.

Avokati i tij, Gent Gjini, thotë se ka kërkuar që menjëherë të ekstradohet në Gjermani, por institucionet e drejtësisë kosovare kanë zvarritur procedurën, duke e mbajtur në paraburgim në Kosovë më shumë se dy muaj.

Sipas tij, Dodaj është keqtrajtuar në qendrën e paraburgimit në Prizren. Gjini deklaron se si avokat nuk ka marrë asnjë dokument se klienti i tij do të ekstradohet, e për rrjedhojë, nuk ka informacion për kohën kur ka ndodhur kjo.

Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se bashkë me Prokurorinë dhe Gjykatën kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast. Ndërsa për realizimin e ekstradimit ekziston një afat ligjor, brenda të cilit institucionet tjera të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ato të Gjermanisë, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e ekstradimit.