Një 41-vjeçar me identitet të dyfishtë është ndaluar në Rinas nga policia, i cili rezultoi të ishte i shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen”.

Më datë 18.01.2018, nga policia italiane është kthyer deportiv shtetasi Kristian Deda, 41 vjeç, i cili kishte vuajtur dënimin në shtetin italian, me 17 vite burgim për vrasjen e një shtetasi italian.

Gjatë intervistimit në Rinas, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë krijuar dyshime për gjeneralitetet e këtij shtetasi.

Pas një pune profesionale hetimore prej 4 orësh, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin kanë arritur të zbulojnë identitetin e dytë dhe të vërtetë të këtij shtetasi të deportuar, konkretisht: Agron Lleshaj,  41 vjeç, banues në Mamurras.

Shtetasi i lartpërmendur është i dënuar në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin Nr. 72 datë 16.01.2001, me 18 vite burg.

Shtetasi Agron Lleshaj iu dorëzua Komisariatit të Policisë Kurbin për veprime të mëtejshme proceduriale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin, kanë bërë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për këtë shtetas, për veprat penale të “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen, kryer  në bashkëpunim” “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake”dhe të “Armëmbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë”. Nenet 141 e 25, 278/2 dhe 280 të Kodit Penal

Ky shtetas, me datë 09.04.2000 në aksin nacional Tiranë – Laç, në vendin e quajtur Ura e Drojes, në bashkëpunim me shtetasin G. D, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës, në tentativë për ta vjedhur, kanë plagosur shtetasin G.G., i cili më pas ka gjetur vdekjen.