Nga Lutfi Dervishi
Një reformë ideale në drejtësi, për të cilën bien dakord të gjithë: si ata që nguten, ashtu edhe ato që janë me parullën e vjetër: as të mos nxitohemi as të mos mbetemi në vend, do të ishte ajo që do trajtonte dy sëmundje:
1. Çlirimin e pushtetit gjyqësor nga kontrolli politik (sëmundja e jashtme)
2. Çlirimin nga korrupsioni, papërgjegjshmëria – korporativizmi (sëmundja e brendshme)
Vënia e Drejtësisë në shinat e përgjegjshmërisë do të nënkuptonte rregulla të hekurta për llogaridhënien.
Receta, për mungesën e performancës së institucioneve kushtetuese gjatë këtyre dekadave, është gjetur tek ndërtimi i strukturave të specializuara. Këto të fundit në mungesë të rregullave të qarta të llogaridhënies, si rregull kanë përfunduar pa produkte për t’u pasur zili.
Për të adresuar sëmundjen e parë, gjendemi para paradoksit që duhet t’i kërkohet politikës të heqë dorë nga privilegji i kontrollit të gjyqësorit. Gjithkush këtu ka dyshime dhe me të drejtë. Nuk është shenjë realizmi t’i kërkosh ujkut të heqë mëlçitë nga qafa.
Zgjidhja magjike e trumpetuar shpesh është që politikanët nuk kanë punë me këtë reformë. Ajo është në dorë të ekspertëve. Në rastin konkret, ekspertët, disa prej të cilëve janë edhe draftues, janë aktorë të sistemit të drejtësisë. A çlirohet nga sëmundja e brendshme sistemi nga vetë aktorët? Nëse sistemi do të kishte nxituar ta niste kurën me kohë, nuk do të flisnim sot për reformën në drejtësi, por do të merreshim me politikanë (të lartë), gjyqtarë e prokurorë që ndëshkohen nga Drejtësia.
Për shkak të dyshimit të përligjur te politikanët dhe tek aktorët e sistemit, ne kemi kaluar në “besë të të huajve”.
Për fat kemi miq që na e duan të mirën, e duan stabilitetin e vendit dhe duan që vendi të përparojë në procesin e integrimit Europian. Në pikëpamjen politike-diplomatike, kjo mbështetje është fat i madh. Vetëm të imagjinojmë për një moment sikur Shqipëria të ishte jashtë procesit të integrimit në BE.
Njohuritë profesionale në këtë proçes mbulohen nga ekspertët e huaj. Megjithë kontributin në vite të misionit Euralius për reformën në drejtësi, objektivat e tyre kufizohen nga projekti, fondi, afati.
Kryetari i misionit Euralius në një deklarim publik, zgjidhjen e gjeti tek heqja e “400 gjyqtarëve dhe 400 prokurorëve”! Kjo është e pamundur për dy arsye. E para, mes gjyqtarëve ka edhe njerëz me integritet qofshin ato edhe në minorancë dhe e dyta: nuk kemi 400 gjyqtarë. Janë 370. Shpopullimi drejtësisë mund të jetë diskutuar dhe mund të jetë i vlefshëm në tavolinat e para ku hidhen variante për reformën, por nuk mund të shitet nga EURALIUS si EUREKA!
Një nga sugjerimet e komisionit të Venecias është që reforma të bazohet mbi bazën e ngrehinës ekzistuese dhe të jetë i limituar ndërtimi institucioneve të reja. Në disa komente për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe anëtarëve të institucioneve të reja (që do të mbikëqyrin sistemin), komisioni Venecias tërheq vëmendjen se mënyra se si propozohen mund të çojë në forcimin e frymës korporativiste!
Vetë sistemi që prej vjeshtës së vitit 2012 i mori disa sinjale të forta me heqjen e imunitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që u pasua edhe me raste arrestimesh dhe burgosjesh. (Megjithëse jo pesha të rënda)
Cila është zgjidhja? Në mungesë të shkopit magjik duhet kuptuar realiteti, duhet kuptuar që nuk është e lehtë që politika të çlirohet nga dëshira për të mos kontrolluar gjyqësorin apo që ekspertët, përfaqësues të sistemit do t’i shpallin luftë papërgjegjshmërisë në drejtësi.
Gjatë një viti në diskutimet për reformën në drejtësi, ka një ndërgjegjësim më të madh të të gjithë aktorëve dhe një vetëdije shoqërore për nevojën e një reforme të thellë.
Në mënyrë që pritshmëria e madhe të mos rezultojë në një zhgënjim të madh, reforma duhet të na çojë në një drejtësi të pavarur nga politika, por jo nga ligji; ku llogaridhënia për performancën të jetë e qartë dhe parimi i shenjtë i ndarjes dhe balancimit të pushteteve (check and ballance) të mos vihet për asnjë moment në dyshim.
Reforma në drejtësi, tek e fundit nuk është thjesht votimi me konsensus në Parlament, nuk është gjyqtari supermen që do të japë drejtësi, është shumë më shumë, është fryma e shoqërisë, është kërkesa për drejtësi, është vullneti për të ndërtuar institucione, dëshira për të njohur dhe zbatuar ligjin!
Syri.net