Marko Xhampaolo nuk do të shkarkohet. Të paktën jo menjëherë. Klubi, nëpërmjet Maldinit konfirmoi besimin ndaj teknikut 52-vjeçar, por kjo nuk do të thotë se do të zgjasë përjetësisht.

Këtë e konfirmojnë edhe zërat nga brenda klubit, sipas të cilave, megjithëse Xhampaolon nuk e shkarkuan pas disfatës me Fiorentinën, trajnerit do t’i duhet një fitore bindëse ndaj Xhenoas për të ruajtur vendin e punës. Te Milani, sidoqoftë, nuk duan të kapen të papërgatitur dhe sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane, klubi kuqezi ka nisur sondazhet për një pasues të mundshëm në pankinën e “Djallit”.

Masimiliano Alegri është një trajner potencial, por vështirë se do të hiqte dorë nga pushimet me pagesë (6 mln €/vit) që Juvja i ka dhënë, aq më tepër që ai ka deklaruar se nuk do të marrë një ekip në mes të sezonit. Diskutim i ngjashëm edhe për Andrij Shevçenkon, me ish-bomberin që, edhe pse jo drejtpërdrejt, ka bërë të ditur që kërkon ta mbyllë ciklin me Ukrainën, të paktën deri në “Euro 2020”.

Nuk ka mjaftuar miqësia me Maldinin për t’ia prishur mendjen, por Milani mbetet në ambiciet e ukrainasit. Edhe Klaudio Ranieri thuhet të jetë pyetur mbi një punësim te Milani, por tekniku që realizoi përrallën me Leisterin, deklaroi dje se shpresonte që Xhampaolo të zgjidhte problemet e të ringrinte Milanin.

Në këtë situatë kaotike që ka pushtuar kuqezinjtë, në orët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i Gatuzos. Trajneri u dorëhoq në qershor duke hequr dorë edhe nga rroga, ndaj vështirë që me kushtet ideale të materializohet rikthimi i tij, që do të ishte vërtet diçka e bujshme për mënyrën se si Rino u nda nga ekipi i zemrës. Me Spaletin që qëndron në pritje të një thirrjeje, hipoteza më e mundshme për Milanin është Rudi Garsia.

Pas përvojës me Romën dhe asaj me Marsejën (e mori në vend të 12-të e ngriti në të 5- in), francezi duket profili ideal për të pasuar Xhampaolon. Për afrimin e tij, Milani mund të gjejë një aleat të rëndësishëm te Françeska Brienca, partnerja italiane e Garsias, e cila shtyn për një rikthim të çiftit në Itali.