Dhimitër Bello ka dhënë dorëheqjen nga posti i rektorit të Universitetit “Fan Noli” në Korçë, një ditë pasi kërkoi bashkimin me Universitetin e Tiranës, për t’i shpëtuar shkrirjes.
Universiteti i Korçës, si shumë universitete të tjera në rrethe rrezikon shkrirjen, për shkak të numrit të ulët të studentëve dhe mbylljen e disa degëve.
Për të shmangur këtë, rektori tha dje se senati i Universitetit kishte votuar pro hapjes së rrugës për të nisur procedurën e bashkimit me Universitetin e Tiranës.
Kundër kësaj, u shpreh në një postim në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai tha se “Universiteti “Fan Noli” është një vlerë e pacënueshme e Korçës dhe një pikë e fortë identitare e qytetarisë korçare”.
“Me dy korpuse të ndryshme, korpusi i Tiranës dhe korpusi Fan Nol. Do ketë të njëjtin emër, vetëm se do jetë pjesë integrale e universitetit të Tiranës. Ne nuk kemi pasur probleme financiare, kemi mund që të realizojmë rritjen e pagave, por në kuadër të politikave që bëhet në komisionin e orientimit të politikave të arsimit të lartë, ku janë të gjithë rektorët e universiteteve publike dhe një pjesë e mirë qeverisë. Orientimet janë drejt maksimizimit të forcave universitare brenda për brenda disa trupave, që mos të jenë pjesë të vogla institucione të ndryshme. Ky bashkim do sjellë rritje të cilësisë dhe hapjen e programeve shumë cilësore në të ardhmen.
Në rastin më të mirë bëhet për një vit. Jam optimist që në të ardhmen të dyfishojmë numrin e studentëve. Ata që kanë qenë mësimdhënës, pedagogët që kanë dhënë kontributin për vite me radhë do të kenë mundësi ta bëjnë në një institucion dhunë më të madhe dhe me më shumë emër se ky që kemi aktualisht me një numër të reduktuar studentësh”, deklaroi një ditë më parë rektori Bello.