Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar ankimimin e bërë nga shtetasja Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim.

Xoxa ka kërkuar që të hiqet masa e sigurisë së sekuestrimit të sendeve të saj personale. Telefoni, dokumente dhe materiale të tjera që u bllokuan nga SPAK gjatë kontrolleve të ushtruara në dhjetor të vitit të shkuar, do të vijojnë të qëndrojnë në duart e hetuesve.

Në njoftimin e GJKKO-së shkruhet se Xoxa ka mundësi të ankimojë këtë vendim brenda 45 ditëve duke nisur nga dita e nesërme.

Mbi Xoxën rëndojnë 3 akuza: korrupsion pasiv të kryer në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.