Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurimit arrest me burg për Ramazan Rrajën. Megjithëse ai kërkoi lirinë me argumentin se ka probleme shëndetësore, togat e zeza nuk ia pranuan kërkesën.
30-vjeçari akuzohet për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai u vu në pranga më 19 prill, me akuzën e pjesëmarrjes në atentatin e vitit 2019 ndaj Aleksandër Lahos, ish-prokurorit Arian Ndoja dhe shoferit të tyre Andi Maloku, ku ky i fundit mbeti i vrarë.
Ramazan Rraja qëndroi për rreth 1 vit në arrati, për t’u arrestuar tek Ura e Gjolës nga Policia e Durrësit, teksa lëvizte me makinë dhe armë me vete.
Ramazan Rraja është djali i Xhelal Rrajës, i cili është shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar ndaj dy kushërinjve Maja një javë më parë në Borizanë dhe po ashtu është personi që shfaqet në pamje filmike me armë në dorë.





