Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për dënimin me burg të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe dy personave të tjerë të pandehur në dosjen e tij, Ahmet Masha dhe Altin Hajri.
Ish-deputeti u dënua nga GJKKO me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite, të cilin tashmë e ka shlyer.
Po ashtu, Apeli ka lënë në fuqi edhe dënimet me 3 vite burg ndaj Altin Hajrit dhe 2.6 vite burg ndaj të pandehurit tjetër Ahmet Masha.
Çyrbja u lirua nga qelia më 21 shkurt 2026. Pjesën më të madhe të kohës ai e kaloi në paraburgim pasi u arrestua më 20 tetor 2024.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesues), Florjan Kalaja (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 24.04.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 22 akti, datë 09.02.2026 regjistrimi, mbi ankimet e të pandehurve J.Ç, A.H, dhe A.M, ndaj vendimit nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.”, njoftoi Apeli.
Sipas SPAK, ish-deputeti ka konsumuar në 8 raste veprën penale tregtim i sekretit shtetëror, në 5 raste veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit si dhe korrupsion zgjedhor në mars të vitit 2021.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, është provuar se Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”. Gjithashtu i pandehuri Altin Hajri dyshohet se ka qenë përdorues edhe i platformës tjetër të enkriptuar, “Matrix”.
Çyrbja u akuzua se gjatë periudhës që ishte deputet, ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me të pandehurin, Altin Hajri, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale.





