I veshur me kostum dhe i shoqëruar nga policia. Kështu ka vendosur që të futet në KQZ sot Fredi Beleri, për të cilin do të diskutohet fati i mandatit të tij si kryebashkiak.
Pas një seance dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shtyu për sot vendimin për vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Himarës Dhionisios (Alfred) Beleri.
Avokatja mbrojtëse e Belerit megjithëse ishte e pajisur me akt përfaqësimi, prokurë me të drejta të plota përfaqësimi nga ana e Belerit që aktualisht vuan dënimin në burgun e Fierit, kërkoi që klienti i saj Dhionisios (Alfred) Beleri, të jetë i pranishëm në seancë.
Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pasi në projekt-vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shkruhet se kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës nuk mund ta ushtrojë detyrën.
Beleri, kreu korrupsion në zgjedhjet lokale të vitit 2023, nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Pasoja direkte e vendimit të Apelit është humbja e mandatit si kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë.
Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin. Ndaj tij qëndroi në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.