Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për ekstradimin e bosit rus të krimit Igor Kokunov drejt vendit të tij.
59-vjeçari, i cili akuzohet për veprën penale “Marrja e një pozicioni më të lartë në hierakinë kriminale”, kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkodrës për t’u ekstraduar drejt Rusisë.
Por Apeli ka vendosur lënien në fuqi të Gjykatës së Shkodrës. “Një kopje e vendimit ti komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë”, njofton Gjykata.
Kujtojmë që 59-vjeçari kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta. Vepra penale për të cilën akuzohet Igor Kokunov parashikon maksimumin e dënimit 15 vjet burg.
Operacioni për kapjen e tij u kodua “Moscow” dhe u zhvillua nga policia kufitare Muriqanit dhe policia së Shkodrës, në bazë të informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Moskës.
Njoftimi i Gjyktës:
Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Më datë 26.08.2023, në pikën e kalimit Kufitar Muriqan Shkodër, është arrestuar shtetasi rus me iniciale I. K. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Moskë, referuar vendimit penal administrativ dhënë nga Gjykata e Moskës më datë 18.02.2022. Gjykata ruse ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e një pozicioni më të lartë në hierakinë kriminale”, parashikuar nga neni 210/1 i Kodit Penal i Republikës së Rusisë dhe dënimi maksimal i kësaj dispozite është 15 vjet burgim.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit të shtetasit rus me iniciale I. K, për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 578 (4901), datë 14.11.2023, ka vendosur:
- Pranimin e kërkesës.
- Lejimin e ekstradimit, të shtetasit K për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.
- Një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale I. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe refuzimin e ekstradimit në Federatën Ruse.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami, vendosi:
–Lënien në fuqi të vendimit nr.578 (4901), dt.14.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
-Një kopje e vendimit ti komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.
Kush është bosi i krimit “Igor Kokunov”
Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu si “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga arresti shtëpiak në pritje të gjykimit, njoftonin gazetat ruse.
Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.
Vasya Bandit u arrestua nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2020, ai gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.