Policia e Durrësit njofton se efektivët e komisariatit të Krujës kanë arrestuar në flagrancë dy vëllezër, banues në Tapizë.

Burime policore bëjnë të ditur se dy vëllezërit R.B. dhe Xh.B. 48 dhe 40 vjeç kanë qenë duke u konfliktuar me njëri-tjetrin.

Gjatë konfliktit, vëllai më i madh R.B. ka telefonuar sallën operative Krujë dhe ka kërkuar ndihmën e policisë.

Por në momentin që furgoni i policisë ka mbërritur në shtëpinë e tyre, të dy vëllezërit i kanë kundërshtuar dhe kanë përdorur forcë ndaj tyre.

Në këto kushte, efektivët i kanë arrestuar në flagrancë dhe i kanë shoqëruar në komisariat.