Seanca për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin është shtyrë sërish.
Ditën e sotme ishte parashikuar të mbahej seanca gjyqësore e radhës për kërkesën e Tahirit, i cili kërkon t’i llogaritet edhe koha që ka kaluar në paraburgim, por ka munguar gjyqtari i çështjes Elton Frashëri.
Tahiri ka paraqitur kërkesën për liri sepse kërkon që t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Nëse kjo kërkesë pranohet nga gjykata, Saimir Tahirit do t’i ulet dënimi me 1 vit e 6 muaj.
Paralelisht ish ministri i Brendshëm do të kërkojë edhe uljen e dënimit për sjellje të mirë.
Kjo është e disata seancë e shtyrë në ngarkim të Saimir Tahirit. Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, dënoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.
Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Kujtojmë se para pak ditësh Saimir Tahiri humbi babanë dhe u pa përkrah të ëmës teksa familja dhe të afërm i dhanë lamtumirën e fundit.