Donald Trump do të kontrollojë profilet në rrjetet sociale të të gjithë atyre personave që do të kërkojnë vizë për të hyrë në Amerikë. Jo vetëm që duhet të kenë pashaportën brenda standarteve, por tashmë edhe një jetë sociale në internet sa më dinjitoze dhe pa pika të errëta.
Tashmë, rregullat për marrjen e një vize po bëhen edhe më të forta. Gjatë aplikimit, tani do kërkohet edhe emrat e profileve në rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter.
Administrata e Trump ka deklaruar se janë duke menduar të fillojnë monitorimin e profileve të personave që kërkojnë leje për të hyrë në SHBA si për turizëm ashtu edhe për të qëndruar më gjatë.
Ky plan, nëse do të realizohet, do të përfshijë rreth 15 milionë persona në vit, 700 mijë prej të cilëve janë individë të cilët kërkojnë vizë emigrimi. Rrjetet sociale që do të përfshihen janë Facebook, Twitter, Instagram, Linkedin, Reddit dhe Youtube.
Ky është një hap më tej, pas shtimit të rregullave të marra në maj të 2017. Shtimi i kontrolleve në doganë, kërkesat e policisë për të deklaruar çdo objekt dhe pajisje e shumë rregulla të tjera strikte i aplikohen çdo personi që tenton të hyjë në SHBA.
Mirëpo ky plan nuk është pritur dhe aq mirë nga kritika. Debate të shumta janë krijuar në Departamentin e Shtetit në Amerikë ku aktivistë akuzojnë administratën për ndërhyrje në privatësinë dhe gjithashtu shkatërrim të lirisë së fjalës, njofton PCW.
Tashmë, njerëzit do tu duhet të mendohen mirë para se të bëjnë deklarata apo postime në rrjete sociale, pasi mund të ndodhë që të jenë duke u survejuar nga zyrtarë të qeverisë amerikane të cilët në një të ardhme mund të pengojnë hyrjen e tyre në SHBA.