Një shaka e gabuar në bordin e fluturimit TK1853 të Turkish Airlines nga Stambolli në drejtim të Barcelonës ndezi alarmin për bombë duke aktivizuar të gjitha protokollet e sigurisë në ajër dhe në tokë.
Një pasagjer krijoi në bord një pikë personale interneti Wi-Fi, duke i vendosur rrjetit një emër që përmbante një kërcënim për bombë.
Ky veprim u identifikua menjëherë nga sistemi i avionit dhe shumë shpejt aktivizoi protokollet e sigurisë ajrore. Ekuipazhi njoftoi autoritetet në aeroportin e Barcelonës ku u ndoqën procedurat standarde të sigurisë për raste të tilla.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në Barcelonë. Pas uljes, forcat e sigurisë spanjolle kryen kontrolle të plota në avion dhe ndaj pasagjerëve, në përputhje me rregullat ndërkombëtare të aviacionit.
Shefi i komunikimit në Turkish Airlines, Yahya Ustun, sqaroi se bëhej fjalë për një kërcënim të rremë dhe se masat u morën vetëm për të garantuar sigurinë e fluturimit.
Operatori spanjoll i aeroporteve, Aena, bëri të ditur se protokollet e sigurisë në aeroportin El Prat nuk ndikuan në funksionimin normal të aeroportit.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse pasagjeri do të përballet me pasoja ligjore, ndërsa rikujtojnë se edhe kërcënimet e rreme trajtohen si incidente serioze sigurie.





