Gjatë takimit me koordinatorët e bashkëqeverisjes, kryeministri Edi Rama ka njoftuar shkarkimin e drejtorit të hipotekës së Fierit, Petrit Kanani.
Rama njoftoi live, ndërsa kjo sipas tij, ka ardhur si rezultat i zvarritjes së dokumenteve pas kërkesës së një qytetari, të cilit i ishte cenuar përgjigjja në kohë e shqetësimit.
“Tani e vërteta është që jo vetëm që ka marrë dokumentin por kam shkarkuar edhe drejtorin e hipotekës së Fierit”, tha Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se në hipotekën e Fierit ka patur edhe raste të zvarritjes së kthimit të përgjigjes, por sipas tij, ky është një moment i duhur për të ndezur llambën e kuqe dhe për t’i zgjidhur probleme të tilla.
“Po e them këtë meqë u dha rasti i një burri 77 vjeç që solli dëshminë se ndryshe nuk do e thoja. Kemi pasur disa raste nga hipoteka e Fierit për çështje të pronësisë në tokën bujqësore. Kur pashë raportin e sotëm kam kërkuar shkarkimin dhe hetimin për të gjithë përgjegjësit për këtë lloj zvarritjeje”.
Një apel Rama bëri edhe për krerët e bashkive.
“Ka bashki që nuk denjojnë të pergjigjen. Unë e kam thënë shumë herë por tani do të detyrohem të flas me emra. I ndajnë qytetarët në tanët dhe të atyre. Apeloj të gjithë kryetarët e bashkive të marrin masa t’i përgjigjen platformës mos thonë po sulmohemi politikisht. Do i nxjerrim me emër e mbiemër”, u shpreh kryeministri.
Ndër të tjera theksoi se si çdo ministër përgjigjet në këmbë për çdo kërkesë që vjen nga qytetarët këtë duhet të bëjë çdo kryetar bashkie.





