GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Argita dhe Jamarbër Malltezi për heqjen e masës së sekuestros për pasuritë.

Ndërsa dosja “Partizani” është në proces gjyqësor, vajza dhe dhëndri i kreut të Partisë Demokratike, ish-kryeministrit Sali Berisha, kërkuan lirimin e 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK prej dy vitesh.

Ata depozituan kërkesë në GJKKO për këtë çështje, por togat e zeza e rrëzuan.

Në muajin mars ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.

Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan.

Më herët kishte qenë Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO që kishin lënë të pandryshuar vendimin.