Braktisja e Partisë Socialiste dhe kalimi te Partia Demokratike e dy ish-përfaqësuesve të PS Durrës, Serjan Mazrreku dhe Ardit Kërtusha, ishte lajmi i ditës këtë të premte.

Dy të rinjtë u pritën sot nga lideri i opozitës, Lulzim Basha të cilit i shprehën pakënaqësitë e tyre mbi klimën e krijuar brenda PS-së, forcë politike me të cilën kanë qenë të angazhuar dhe kontribuar prej shumë vitesh.

Teksa ish-kryetari i FRESSH Durrës, Ardit Kërtusha i kishte shprehur hapur kritikat ndaj partisë së tij prej vitesh, lëvizja e ish-kreut të njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku ishte “surprizë”.

Ndonëse nuk ishte bërë e dukshme krisja e marrëdhënies së tij apo konfliktet me drejtuesit e PS-së, Mazrreku thotë se mungesa e vëmendjes së këtyre të fundit për zonën që ai drejtonte prej 7 vitesh, ishte ajo që e shtyu të shkonte në mes të fushatës drejt partisë që sipas tij do të dëgjojë zërin e qytetarëve.

“I vetmi konflikt është zotimi ndaj qytetarëve që më kanë vendosur aty para 7 vitesh me mbështetjen e atyre që na besuan për të ndryshuar shërbimet në zonë. Kohët e fundit u bllokua e gjithë frymëmarrja në zonë dhe nuk donin t’ia dinin më për përfaqësuesit politikë dhe problemet e kësaj zone. Interesi i tyre i vetëm ishin votat. Investimet e fundit që kemi marrë i kemi marrë me protesta, pasi nuk po pranonin më kërkesat e bazës. Në vend që të vazhdoja të bëja sikur nuk më dëgjonin, zgjodha të shkoj aty ku dëgjohet zëri i kësaj zone. Ky ishte momenti për të reaguar për ata banorë që më besuan gjithë këto vite. Nuk mund të vazhdonim më me bllokim dhe mbytje për kërkesa më minimale, investime dhe shërbime në institucione si të gjithë qytetarët e mos të etiketoheshim si të ardhur.”, shprehet ai në një prononcim për “DurrësLajm”.

Kërtusha nga ana tjetër, i qëndron denoncimeve periodike që ka bërë për PS-në prej vitit 2019. Sipas tij, kjo forcë politike tregoi që ishte e mbyllur dhe e kapur, ndaj për të ishte e lehtë të kalonte në ekipin e demokratëve.

“Unë e kam kollaj, i kam shprehur për dy vite rradhazi problemet e Partisë Socialiste. Tregoi që ishte mbyllur dhe e kapur më shumë se kurrë.”, thotë Kërtusha për “DurrësLajm”.

Por nuk ka qenë njësoj e lehtë për Mazrrekun, i cili e ka përqafuar PS-në prej vitit 2000 dhe njihet në zonë si familje themeluese e Partisë Socialiste. Ai tregon se ndarja ishte e vështirë, por jo më shumë se realiteti.

“Ndarja ishte shumë e vështirë, por më i vështirë është realiteti i njerëzve që takoj çdo ditë, pasi shikoj se ku ka përfunduar Partia Socialiste dhe kush e drejton në zonë.”, thotë Mazrreku ndërsa shton se socialistët dikur merrnin vetëm 5 vota në ish-Kënetë, ndërsa sot 2500.

Kërtusha, i cili një vit më parë garonte për kreun e PS Durrës dhe më pas u dorëhoq vetëm 3 ditë para zhvillimit të procesit zgjedhor për shkak të ndërhyrjeve siç denonconte më parë, nga PD pret që t’i jepet mundësia çdo personi për t’u vlerësuar dhe bërë karrierë në bazë të meritokracisë.

Duke krahasuar Ramën me Bashën, ai thotë se ky i fundit është vite larg nga kreu i qeverisë, të cilin e konsideron anormal.

“Në Partinë Demokratike presim një parti normale ku çdo zë dëgjohet dhe çdo kush ka të drejtë të bëjë karrierë brenda saj dhe mbi të gjitha funksionimi i asaj që është më e shtrenjtë në një forcë politike, institucioni i meritokracisë.

Kjo përsa i përket organizimit të kësaj partie, por përsa i përket PD-së në zgjedhje, presim të marrë frerët e qeverisë dhe të ndalë sa më shpejt pikiatën ekonomike, sociale, kulturore të vendit tonë. Në krahasim me Ramën janë vite larg përsa i përket figurës së një shtetari në krahasim me figurën e një grotesku politik si ky që kemi sot, një drejtues normal me një drejtues anormal.”

Gertjana Daçi