Vetëm 50 litra dizifektant janë përdorur për të gjithë qytetin, ndërkohë që rrugët nuk lahen se nuk ka ujë

Rrugët nuk lahen në nivelin që laheshin dikur. Ne ujin e marrim nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila jo se nuk është disponibël, por mbushja me ujë e boteve për të lagur rrugët është quajtur luks, para furnizimit të popullatës me ujë për të pirë. Është bërë punë për luftimin e mushkonjave me mjete motorrike ku janë harxhuar 50 litra cipometrinë dhe janë realizuar të gjitha kërkesat që kanë patur kopshtet dhe çerdhet për dizinfektim

Buxheti i limituar dhe i miratuar me mjaft vonesë duket se është justifikimi i bashkisë së Durrësit për masat e mangëta të ndërmarra përsa i përket pastrimit të qytetit. Drejtori i Shërbimeve Publike në bashkinë e Durrësit bën të ditur për Dyrrah se dizinfektimi i qytetit është bërë me vetëm 50 litra dizifektant. Ndërkohë pavarësisht se edhe tani që jemi në pikun e sezonit turistik dhe popullsia është tre apo katërfishuar mbeturinat urbane tërhiqen vetëm një herë në ditë Kërtusha e vlerëson këtë shërbim si më të mirin. Shërbimin e pastrimit të qytetit nga plehrat e konsideron si shërbimin më të mirë që bëhet  dhe duhet të ndiqet kjo formë edhe nga bashkitë e tjera të vendit.

Zoti Kërtusha ka ankesa përsa i përket pastrimit të qytetit sidomos në periferi, çfarë po bën bashkia në këtë drejtim?

Për pastrimin e qytetit janë kryer të gjitha proçeset e punës për të patur një qytet sa më të pastër dhe krahas punës  me turnin e tretë është punuar për mirëmbajtjen e rrugëve, për mirëmbajtjen e shesheve dhe kuartalleve në dy turnet e tjerë të ditës. Sipas evidencave janë rreth 6979 metra kub mbetje urbane të evaduara, 100 metra kub mbetje të gjelbra dhe 189 metra kub dhera. Janë hequr gjithashtu edhe 470 metra kub leshterikë nga bregdeti i Currilave. Largimi i leshterikëve është bërë me mjetet e ushtrisë ndërsa pjesa më e madhe e karburantit është blerë nga bashkia. Në fushën e depozitimit të mbetjeve urbane kanë hedhur mbeturina edhe të tretët si komuna dhe subjekte private që kanë derdhur mbi 770 metra kub mbetje të kompletuara.   

Ka shumë mushkonja këtë vit në Durrës. Ju thoni që keni bërë dizinfektim të ambienteve, por qytetarët janë mjaft të bezdisur nga prania e tyre në çdo mjedis….

Është bërë punë për luftimin e mushkonjave me mjete motorrike ku janë harxhuar 50 litra cipometrinë dhe janë realizuar të gjitha kërkesat që kanë patur kopshtet dhe çerdhet për dizinfektim. Nëse ju jetoni në realitetin e përgjithshëm, mushkonja ka edhe në vendet fqinjë edhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, mushkonja ka edhe në Norvegji, sepse sado që të bëhet dizinfektimi nga ndërmarrja është tepër e vështirë për të parandaluar e për të marrë masa për eleminimin e tyre të plotë. Ne themi se kemi bërë më të mirën e mundshme.

Sa është fondi i përcaktuar për dizinfektimin e qytetit nga insektet?

Me thënë të drejtën fondi i përgjithshëm për Ndërmarrjen Komunale të Shërbimit të qytetit, për të gjitha zërat është 44 milionë lekë, ku përfshihet edhe dizinfektimi, ndërsa komunalja e plazhit ka fondin prej 28 milionë lekë të reja. Por është një buxhet krize dhe fondet janë të limituara. Jo vetëm që fondet janë të limituara, por buxheti ka kaluar me shumë vonesë në fillim të muajit qershor. Duhet thënë që këtë vit janë të limituara edhe të ardhurat për shkak të krizës që ka përfshirë biznesin e vogël.

Këtë vit nuk ka sinjalistikë as vertikale dhe as horizontale. Pothuajse të gjitha vijat e bardha të rrugëve për kalimin e këmbësorëve janë fshirë. Në buxhetin e këtij viti ka qënë i parashikuar një fond prej 3 milionë lekësh të reja. Pse nuk ka filluar puna, kur dihet që duhet t’i ishte paraprirë sezonit turistik?

Duhet ndarë problemi, sepse jam dakord që vijëzime të reja nuk janë bërë, por nuk jam dakord që të thuhet se nuk ekzistojnë vijëzimet. Ato duhen ripërtërirë vit për vit, ndoshta duhen bërë edhe të reja. Jemi munduar që deri diku t’i japim rëndësi sinjalistikës vertikale, tabelave, por duke parë që buxheti u miratua me shumë vonesë, periudha për të lëvruar fondet, për të bërë të mundur blerjen e bojës dhe mjeteve të tjera kuptohet që është e pamjaftueshme për të arritur sezonin turistik. Ndërmarrja i ka marrë fondet, por janë më pak se vitet e tjera sepse buxheti i këtij viti është i limtuar. Me kryerjen e proçedurave mbase nga fillimi i gushtit mund të kryhet kjo punë.

Zoti Kërtusha është i pari vit që nuk shikojmë më të lahen rrugët e qytetit brgdetar. Tradicionalisht çdo mëngjes dhe pasdite rrugët laheshin dhe pastroheshin nga pluhuri, gjë që shohim se nuk po bëhet këtë vit…

Ndoshta rrugët nuk lahen në nivelin që laheshin dikur, por duhet të kemi parasysh që qyteti i Durrësit ka ndenjur edhe pa ujë të pijshëm. Ne ujin e marrim nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila jo se nuk është disponibël, por mbushja me ujë e boteve për të lagur rrugët është quajtur luks, para furnizimit të popullatës me ujë për të pirë. Me një bashkëveprim më të mirë me ujësjellësin duke bashkërenduar edhe oraret e funizimit me ujë të boteve mendoj që ky problem do të vijë në përmirësim.

Mozaiku i mbuluar nga ujërat e zeza

100 metra larg godinës së gjykatës, në lagjen numër 11, ngrihen hijerëndë dy pallate 14 katësh, në njërin prej të cilëve para disa vitesh u zbulua një prej mozaikëve më të bukur të Durrësit, ai i svastikës 1900 vjeçare. Pallatet 14 katësh në dy katet e para mbi tokë funksionojnë për shërbime të ndryshme, ndërsa 12 katet e sipërm janë apartamente për familjarë. Në pjesën nëntokësore, që prej zbulimit të mozaikut bardhë e zi, është vendosur që të mos ketë garazhe, por kjo hapësirë të jetë funksionale për ta bërë të vizitueshëm mozaikun prej turistëve të huaj apo të apasionuarve pas arkeologjisë. Por ajo çfarë ka ndodhur realisht në këtë palllat është një absurditetet fatal, sepse jo vetëm që mozaiku nuk është i vizitueshëm,  por pikërisht prej këtej kanë nisur shqetësimet e banorëve të pallatit dhe zonës përreth si dhe subjekteve tregtare.

Ajo çfarë shihet me sy dhe ndihet që në momentin e parë që shkel në këtë zonë, e cila është vetëm 15 metra larg nga rruga kryesore është një situatë me të cilën askush prej nesh nuk do të donte të bashkëjetonte. E njëjta problematikë haset edhe në blloqe të tjera banimi të qytetit bregdetar, qofshin në qendër apo periferi. Kati i  nëndheshëm i pallatit 14 katësh mbledh prej së paku 5 vjetësh të gjitha ujërat e zeza të dy pallateve, duke e kthyer të gjithë lagjen në një WC të madhe publike, të hapur në mes të lagjes. Kjo gropë e madhe ujëmbledhëse është mbushur edhe me plehra, që shpesh i ka sjellë era aty apo janë  hedhur nga banorë të papërgjegjshëm. Banorët e këtij pallati për vite me radhë trokasin derë më derë tek të gjitha institucionet për të gjetur një zgjidhje për shqetësimin e  tyre. Qytetarët thonë se pasi Instituti i Arkeologjisë lejoi punimet për ndërtimin e pallateve, të bllokuara për disa javë si pasojë e zbulimeve të rëndësishme arkeologjike, firmës ju la detyrë që kati i nëndheshëm të kthehej funksional për vizitimin e pasurisë arkeologjike. Firmës ju la detyrë që të zbatonte të gjitha kriteret pa të cilat nuk mund të bëhet as kolaudimi dhe dorëzimi i objektit e aq më pak hipotekimi i  tij. Banorët shprehen se kanë rënë në një grackë, e cila si në stinën e dimrit ashtu edhe të verës i ka bërë që të nisin dhe të mendojnë të shesin shtëpitë e tyre.

Flasin qytetarët

Sami Trimi është një banor i  cili tregon shqetësimin e të gjithë banorëve. “Si fillim kur hymë në këtë pallat në shtëpi, na u tha se objekti arkologjik i cili ishte një mozaik që ne nuk e pamë kurrë se ishte i mbuluar me dhera dhe zhavorr do të ishte i vizitueshëm. Por u bënë 5 vjet që kur kemi hyrë në këtë pallat shikojeni se çfarë ndodh. Shikojeni se është ora 12 e mesditës dhe nuk mund të qëndrosh dot jashtë prej mushkonjave dhe prej erës së rëndë të fekaleve. Dimër verë është po e njëta situatë. Asnjë prej nesh nuk i mban dyert hapur, deri në katin e 14 fluturojnë mushkonjat të cilat ushqehen në ujërat e zeza të pallatit, që derdhen në katin e nëndheshëm. Nuk kemi lënë asnjë vend pa shkuar. Në ndërmarrjen e Ujësjellësit, të Shërbimeve Komunale, kemi shkuar në bashki tek kryetari, kemi shkuar me dhjetëra herë tek zyrtarët e lartë të bashkisë dhe asnjë gjë nuk është bërë. Na thonë që duhet t’i rregullojë firma që i  ka lënë ashtu! Po firmën këta pse e kanë lënë të bëjë si të dojë me popullin, ne ku ta gjejmë zgjidhjen, ku ta gjejmë të vërtetën, ku të shkojmë, apo të braktisim shtëpinë? Pjesa më e madhe e dyqaneve kanë mbetur me qepena mbyllur sepse asnjë aktivitet privat nuk mund të zhvillohet. Asnjë prej banorëve nuk vjen në pikën e internetit që kam hapur, sepse janë poshtë nesh të gjtha ujërat e zeza dhe mushkonjat nuk të lënë të marrësh frymë dhe të jetosh! Kështu kemi rënë viktima të abuzimeve që nga firma e ndërtimit edhe nga pushtetit loklal që e la të abuzonte deri në këtë pikë firmën. Pasi bëri edhe hipotekimin e hyrjeve firma u largua pa ndërtuar rrjetin e kanalizimeve”.

Nadirja, një tjetër banore e lagjes, na tregon se vazhdimisht kanë ardhur përfaqësues të arkeologjisë në lagje, por janë larguar menjëherë, nga era e rëndë që të mbyt. Shikoni se çfarë ka ndodhur, na erdhën para zgjedhjeve një vit më parë këta të bashkisë dhe na premtuan se do të na e zgjidhnin problemin, por nuk mund të dalim nga dera e shtëpisë pa mbështjellë të gjithë trupin sepse mushkonjat na kanë infektuar. Edhe para ca ditësh erdhën ata të arkeologjijsë dhe menjëherë ikën sapo panë se në çfarë gjendjeje është aktualisht situata. Ujërat e zeza të të gjithë pallatit kanë 5 vjet që derdhen në bodrum. Sikur ta kishin mbyllur mos të mbetej ashtu do të ishte mirë sepse të gjithë fëmijët e pallatit në verë largohen tek të afërmit për të mos u prekur nga epidemitë. Ata që janë këtu i ke të gjithë për çdo javë në spital me sëmundje infektive”!