Pas një 4-vjeçari me këshill bashkiak thuajse një ngjyrësh, për shkak të bojkotimit nga opozita të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, nga 21 qershori i këtij viti parlamenti i qytetit të Durrësit është shumë partiak.

Por a ka qenë përgjatë këtyre muajve më i zëshëm këshilli bashkiak për të ngritur në mbledhjet e zhvilluara shqetësimet e komunitetit, që u ka dhënë votën këshilltarëve?

I pranishëm në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak, “DurrësLajm” po bën një analizë të punës së këshilltarëve përgjatë këtyre muajve, cilët prej tyre kanë diskutuar më shpesh dhe cilët ende nuk e kanë marrë asnjëherë fjalën.  

Dritan Burgija, Ardian Muka dhe Edlira Shemsi janë këshilltarët e Rithemelimit, që thuajse në çdo mbledhje kanë marrë fjalën për të diskutuar problematika të ndryshme.

Ndërkohë nga radhët e Partisë Demokratike janë Jonuz Myshketa dhe Edlira Devolli anëtarët më të zëshëm.

Megjithëse me shumicë këshilltarësh, plot 28 nga 51 në total, maxhoranca socialiste është më e heshtura në parlamentin e qytetit.

Me përjashtim të këshilltarëve Llesh Çuni, i cili me ndërhyrjet e tij për procesin e rindërtimit në zonën e Manzës flet gjithnjë për sukseset e qeverisë dhe të bashkisë dhe Munir Koneshës që trajtoi problematikën e mos dhënies të dëmshpërblimit për familjet e përmbytura vite më parë nga lumi Erzen, pjesa tjetër e këshilltarëve është në “gjumë letargjik”.

Peshën e reagimeve të grupit socialist e mban kryesisht kryetari i grupit Rolant Xhelilaj në replikat e zakonshme me këshilltarët e Rithemelimit.

Në grupin socialist ka këshilltarë që kanë më shumë se një mandat përfaqësimi në parlamentin e qytetit, por asnjëherë se kanë marrë fjalën për të diskutuar projektvendimet që kalojnë për miratim.

Ndërsa përsa i përket kuotave gjinore, megjithëse kanë një përfaqësim thuajse të barabartë me kolegët e tyre meshkuj, këshilltaret femra zakonisht nuk e marrin asnjëherë fjalën, përveç rasteve kur janë kryetare komisionesh dhe shprehin dakordësinë për ta kaluar për votim një projektvendim.

Nga partitë e vogla përjashtim bën këshilltarja Flutura Kasa, por për hir të së vërtetës, ajo ka qenë më aktive në këshillin e kaluar bashkiak, sesa në aktualin.

Secili anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës merr një honorar mujor sa 1/10 e pagës mujore të kryetares së bashkisë. Aktualisht secilit prej tyre i kalojnë 13 mijë lekë të reja në llogarinë bankare, ndërsa me rritjen e miratuar në mbledhjen e datës 28 shtator honorari mujor shkon në 18 mijë lekë të reja.

Një pjesë e taksave të tatimpaguesve durrsakë do të shkojë për të paguar 18 mijë lekë në muaj shumë prej këshilltarëve që janë aty vetëm për të ngritur kartonin Pro, Kundër apo Abstenim një apo dy herë në muaj!!!

M.B.