Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar pikën 9 dhe 10 të rendit të ditës gjatë mbledhjes online të zhvilluar mesditën e sotme.

Bëhet fjalë për pikat:

“Për miratimin e listës paraprake të subjekteve përfitues të programit të grantit për rindërtimin, rikonstruksionin ose riparimin e shtëpive individuale ose të banesave në ndërtesa (pallate), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, si pasojë e dëmtimeve nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

“Për miratimin e kërkesës për grante, lista e parë, për rindërtimin e shtëpive individuale, në bazë të ekspertizës së thelluar sipas listës paraprake të familjeve aplikuese në aplikacionin “shtëpia ime”, në njësitë administrative të bashkisë Durrës, që do të përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit për banesat individuale të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019″.

Gjatë mbledhjes, këshilltarët drejtuan shumë pyetje në adresë të nënkryetarit të bashkisë, Florian Tahiri në lidhje me procedurat e dëmshpërblimit të banorëve, teknikalitete për pallate të veçanta.

Kryetari i KB, Ani Dyrmishi tha se këto pyetje dhe të tjera të adresuara këshilltarëve nga qytetarë të ndryshëm do t’i drejtohen administratës së bashkisë dhe javën tjetër do merren përgjigjet nga ky institucion.