Lëvizja Socialiste për Integrim ka bashkuar votat me socialistët në Këshillin Bashkiak duke miratuar buxhetin e bashkisë së Durrësit për vitin 2019. Buxheti i vitit 2019 është votuar mbrëmjen e djeshme në mbledhjen e rradhës, pa praninë e asnjë prej 14 këshilltarëve të djathtë.

Vangjush Dakos i duheshin 26 vota pro që të kalonte buxhetin e vitit elektoral të 2019-ës. Partia Socialistë me 16 këshilltarë në Këshillin Bashkiak, bashkë me aleatët shkon në 22, por sërish pa votat e LSI-së apo PD-së nuk e bën dot kurumin.

6  votat e LSI-së kanë bërë të mundur miratimin e buxhetin të ri (LSI ka 14 këshilltarë). Buxheti i vitit 2019 kap shifrën e rreth 23 milionë eurove, me një rritje 5.7 % krahasuar me buxhetin e vitit 2018.

Këshilltarët e LSI-së që ndodheshin në mbledhjen e radhës, kërkuan disa ndryshime të vogla dhe u pajtuan me buxhetin e hartuar nga Bashkia Durrës duke ngritur kartonin jeshil.

Bashkia e Durrësit ka hartuar për vitin 2019 një buxhet, ku pjesa dërmuese e investimeve fokusohen në infrastrukturë dhe turizëm. Një numëri i madh shkollash, çerdhesh e kopshte janë parashikuar të rikonstruktohen përgjatë vitit 2019, si dhe disa segmente rrugore që nuk u prekën nga investimet përgjatë këtij viti që po lëmë pas.

Bashkia e Durrësit në buxhetin e ri ka parashikuar ndërtimin e një shëtitore gjigante përgjatë bregdetit te "Shkëmbi i Kavajës", investim që kap vlerën e afro 4.5 milionë eurove. Ndërkohë, pjesa tjetër e parave të buxhetit të vitit të ardhshëm do të shkojnë për nevojat operative të bashkisë së madhe të Durrësit.

K.H.